Biznesi i Vogël pa TVSH — Avantazhet dhe Kufizimet
Valbona Xhanaj, Konsulente Tatimore & Doganore e çertifikuar nga IKM, me mbi 30 vjet përvojë, ju shpjegon regjimin e biznesit të vogël pa TVSH — avantazhet, kufizimet dhe kur vlen të regjistroheni vullnetarisht.
Permbajtja
Çfarë do të thotë "biznes i vogël pa TVSH"
Biznesi i vogël pa TVSH është çdo biznes (person fizik ose SHPK) me xhiro vjetore nën 10 milion lekë (VKM nr. 953/2014, neni 11, në zbatim të nenit 117 të Ligjit nr. 92/2014; afati 15-ditor: neni 122/1) që nuk është i regjistruar si tatimpagues i TVSH-së. Efektet praktike: nuk arkëtoni TVSH 20% nga klientët, çmimet tuaja janë pa TVSH, nuk zbritni TVSH-në e paguar tek furnitorët (20% e blerjeve është kosto e drejtpërdrejtë), nuk dorëzoni deklaratë mujore TVSH-je, dhe paguani 0% tatim mbi fitimin për xhiro deri në 14,000,000 lekë deri më 31 dhjetor 2029 (Ligji nr. 29/2023, neni 69), pastaj 15% (deri 14M lekë) / 23% (mbi 14M lekë).
Ky regjim thjeshtëzon ndjeshëm kontabilitetin dhe zvogëlon barrën administrative, ideal për bizneset shërbimi me klientë individë. Regjistrimi i detyrueshëm: kur xhiroja kalon 10 milion lekë gjatë vitit, biznesi ka 15 ditë për t'u regjistruar si tatimpagues TVSH. Ne monitorojmë xhiron dhe ju njoftoj me kohë.
Avantazhet dhe disavantazhet
Avantazhet e biznesit pa TVSH:
- Tatim fitimi 0% për xhiro deri në 14 milion lekë (deri më 31 dhjetor 2029)
- Asnjë deklaratë TVSH-je mujore — kursim kohe dhe kostoje administrative
- Kontabilitet me kërkesa shumë më të thjeshtuara — libra të thjeshtëzuara
- Kosto më të ulëta kontabiliteti — ideal për bizneset e reja
Disavantazhet:
- TVSH-ja e blerjeve (20%) nuk zbritet — bëhet kosto e pashmangshe e biznesit
- Klientët biznes (me TVSH) nuk mund të zbresin TVSH nga faturat tuaja — disavantazh konkurrues ndaj furnitorëve me TVSH
- Kufizimet e xhiros kufizojnë rritjen — kur kaloni 10M lekë duhet kaluar regjim të ri
Ne bëjmë llogaritjen krahasuese të dy skenarëve — pa TVSH vs. me TVSH — dhe ndonjëherë regjistrimi vullnetar sjell përfitim neto real.
Faturimi dhe libri i shitjeve pa regjistrim TVSH
Bizneset që nuk janë të regjistruara si tatimpagues të TVSH-së nuk kanë detyrimin të deklarojnë librin e shitjeve dhe blerjeve, as të dorëzojnë deklaratën mujore të TVSH-së. Ky detyrim mbetet vetëm për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH. Për çdo shitje ndaj blerësve tatimpagues, biznesi i vogël pa TVSH lëshon faturë të thjeshtë tatimore në vend të faturës me TVSH. Fatura duhet të shënojë shprehimisht që shitësi nuk ka detyrimin të llogarisë TVSH mbi shitjen, kështu blerësi merr dijeni për statusin tatimor të furnitorit.
Përjashtimi nga librat e TVSH-së nuk sjell përjashtim nga fiskalizimi. Çdo faturë, pavarësisht statusit të TVSH-së, raportohet në kohë reale te Administrata Tatimore dhe merr kod unik NIVF. Ne mbajmë regjistrin e brendshëm të shitjeve dhe blerjeve për çdo klient pa TVSH, i nevojshëm për rakordimin me deklaratën vjetore të tatimit mbi fitimin (dorëzohet deri më 31 mars) dhe për monitorimin e kufirit prej 10 milion lekësh.
Kur vlen të regjistroheni vullnetarisht për TVSH
Regjistrimi vullnetar për TVSH ka kuptim ekonomik kur: (1) blerjet tuaja kanë TVSH të lartë (tregti me marzh, prodhim, importime) — zbritja e TVSH-së kompenson koston e administratës, (2) klientët tuaj janë kryesisht biznese me TVSH — ata preferojnë furnitorë me TVSH për të zbritur vetë, (3) planifikoni rritje të shpejtë të xhiros dhe do ta kaloni gjithsesi kufirin 10M lekë brenda 6–12 muajve, ose (4) keni investime të mëdha fillestare (pajisje, inventar) — TVSH-ja e blerë zbritet dhe rimbursohet.
Regjistrimi vullnetar nuk ka kuptim kur: ofroni shërbime kryesisht për individë (ata nuk kërkojnë faturë me TVSH), blerjet janë minimale ose pa TVSH, dhe xhiroja parashikohet të qëndrojë nën kufir. Para vendimit, ne bëjmë simulimin financiar: cila skenar jep tatim total më të ulët duke marrë parasysh të gjitha rrethanat specifike të biznesit tuaj.