Certifikata Elektronike: Dy Llojet, Çmimet dhe Procedura (2026)
Valbona Xhanaj, Konsulente Tatimore & Doganore e çertifikuar nga IKM, me mbi 30 vjet përvojë, ju shpjegon llojet e certifikatave elektronike, si të merren dhe ku përdoren — informacion thelbësor për bizneset dhe individët.
Permbajtja
Dy certifikata, dy qëllime krejtësisht të ndryshme
Kur flitet për certifikatën elektronike në Shqipëri, pothuajse çdo biznes ngatërron dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Njëra merret për të nënshkruar kontrata dhe deklarata tatimore. Tjetra, për të lëshuar fatura fiskale. Njëra kushton 4,800 lekë në vit. Tjetra 4,000 lekë. Procedurat janë të ndara dhe skedari përfundimtar shërben për sisteme të ndryshme.
| Certifikata e Nënshkrimit Elektronik | Certifikata e Fiskalizimit | |
|---|---|---|
| Qëllimi | Firmosja e dokumenteve, kontratave, deklaratave tatimore | Identifikimi i biznesit dhe lëshimi i faturave elektronike |
| Ku përdoret | Platforma e-filing, dokumente ligjore, shërbime qeveritare | Portali selfcare i fiskalizimit, software fiskalizimi |
| Shërbimi ne e-Albania | Kodi 13521 | Kodi 13691 |
| Çmimi | 4,800 lekë/vit | 4,000 lekë/vit |
| Vlefshmëria | 1 vit (mundësi 3 vjet) | 1 vit |
| Ligji bazë | Ligji 9880/2008 | Ligji 87/2019 |
| Formati | .pfx / .p12 ose token USB | .pfx / .p12 |
Pyetja e parë: çfarë doni të bëni me certifikatën? Nëse lëshoni fatura, ju duhet certifikata e fiskalizimit. Nëse nënshkruani kontrata, deklarata ose aplikoni ne shërbime qeveritare, ju duhet certifikata e nënshkrimit elektronik. Shumë biznese kanë nevojë për të dyja. Shikoni guidën e plotë mbi nënshkrimin elektronik për kontekstin e duhur.
Certifikata e fiskalizimit: si ta merrni hap pas hapi
Çdo biznes që lëshon fatura është i detyruar të ketë certifikatë fiskalizimi aktive. Kjo certifikatë lidh pajisjen tuaj me sistemin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Shikoni kontekstin e plotë te guida mbi fiskalizimin.
- Hyni ne e-Albania si subjekt biznes. Sigurohuni që jeni i hyrë me llogarinë e subjektit (NIPT), jo si person fizik. Ky është gabimi më i zakonshëm.
- Gjeni shërbimin me kod 13691. Titulli: "Aplikim për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit". Klikoni "Përdor".
- Plotësoni formularin. Nevojitet NIPT-i i biznesit dhe emaili aktiv ku do të dërgoni certifikatën. Sigurohuni që emaili te e-Albania është i aksesueshëm.
- Paguani 4,000 lekë. Me transfertë bankare (mandatpagesë e vlefshme 24 orë) ose me kartë (komision shtesë 3% nëse paguani nëpërmjet Credins).
- Prisni rreth 3 ditë pune. Certifikata (.pfx) dhe fjalëkalimi i saj vijnë me email nga njoftime.pki@akshi.gov.al. Ruajeni fjalëkalimin: nuk dërgohet dy herë.
- Ngarkoni certifikatën te portali selfcare. Hyni te platforma selfcare (efiskalizimi-app.tatime.gov.al/self-care), shkoni te menyja "Certifikata Elektronike" dhe ngarkoni skedarin .pfx. Pas verifikimit shfaqet mesazhi: "Certifikata elektronike u vërtetua".
- Konfiguroni të dhënat e biznesit. Plotësoni operatorët e autorizuar, adresat e lokacioneve, kodin NACE, oraret e punës. Vetëm pas kësaj mund të lëshoni faturën e parë fiskale.
Certifikata e nënshkrimit elektronik (AKSHI): si ta merrni
Certifikata e nënshkrimit elektronik është ekuivalenti dixhital i vulës dhe firmës suaj. Pa të, nuk mund të nënshkruani kontratat elektronike, deklaratat tatimore (e-filing) ose të aplikoni ne shërbime administrative dixhitale. Kjo certifikatë bazohet ne Ligjin 9880/2008 mbi nënshkrimin elektronik.
- Hyni ne e-Albania dhe gjeni shërbimin me kod 13521. Titulli: "Aplikim për pajisje me nënshkrim elektronik për bizneset". Hyni si subjekt, jo si qytetar.
- Plotësoni aplikimin. Zgjidhni llojin e certifikatës dhe afatin e vlefshmërisë (1 ose 3 vjet). Afati 3-vjeçar ka kosto totale më të lartë por çmim mesatar vjetor më të ulët.
- Paguani 4,800 lekë/vit. Pagesa bëhet online. Nëse paguani me kartë nëpërmjet kanalit Credins, aplikohet komision shtesë 3%.
- Prisni verifikimin nga AKSHI. Ndryshe nga certifikata e fiskalizimit, certifikata e nënshkrimit kërkon verifikim të lidhjes midis personit aplikues dhe subjektit. Mund të kërkohet ekstrakt QKB aktual. Koha e procesimit: 3 deri 5 ditë pune.
- Merrni certifikatën. Vjen si skedar .pfx ose .p12 me email, ose ne formë token USB (kostoje dhe procedurë shtesë). Skedari vjen me fjalëkalim.
- Instaloni certifikatën. Klikoni dy herë skedarin .pfx, ndiqni Import Wizard te Windows, zgjidhni opsionet standarde. Pas instalimit, testoni ne esign.akshi.gov.al ose ne platformën e-filing.
Për rinovim (shërbim 13300 ne e-Albania), procedura është e thjeshtësuar: nuk kërkohet verifikim i ri, vetëm pagesa. AKSHI dërgon njoftime para skadimit, por planifikoni rinovimin të paktën 30 ditë përpara.
Instalimi dhe rinovimi: çfarë duhet të dini
Të dyja certifikatat vijnë si skedar .pfx (ose .p12, janë i njëjti format). Hapat e instalimit te Windows 10/11:
- Klikoni dy herë skedarin .pfx
- Zgjidhni "Current User" (jo "Local Machine" nëse nuk jeni administrator)
- Futni fjalëkalimin e skedarit kur kërkohet
- Lini opsionet e tjera me vlerat standarde dhe klikoni "Next" deri te "Finish"
- Konfirmoni instalimin te Certificate Manager (certmgr.msc)
Certifikatat funksionojnë me Google Chrome dhe Microsoft Edge. Firefox ka magazinën e vet dhe mund të kërkojë import shtesë.
Gabimet më të zakonshme
- Certifikata e gabuar për sistemin. Certifikata e nënshkrimit elektronik refuzohet nga portali selfcare i fiskalizimit. Certifikatat janë funksionalisht të ndara dhe nuk janë të ndërrushme.
- Fjalëkalimi i humbur. Fjalëkalimi i skedarit .pfx dërgohet vetëm njëherë. Nëse e humbisni, duhet të aplikoni për certifikatë të re duke paguar sërish.
- Rinovimi pas skadimit. Nëse certifikata skadon, sistemi e bllokoi menjëherë. Fatura nuk mund të lëshohen dhe deklaratat nuk mund të nënshkruhen. Rinovimi pas skadimit kërkon aplikim të ri (jo rinovim), me vonesë 3 deri 10 ditë pune.
- Aplikimi i vonuar. Mos aplikoni certifikatën e parë 2 ditë para afatit të deklaratës tatimore. Planifikoni me kohë, veçanërisht për certifikatën e fiskalizimit (deri 10 ditë pune).
DPT rekomandon rinovimin e certifikatës së fiskalizimit 30 ditë para skadimit. Gjatë rinovimit, certifikata e vjetër mbetet aktive deri ne datën e skadimit, kështu që nuk ka ndërprerje shërbimi nëse veproni me kohë. Pas rinovimit, ngarkoni certifikatën e re te portali selfcare.